NDALESA E TREMBËDHJETË

Me Marinë në pritje të Shpirtit Shenjtë

Prifti - Të adhurojmë, Jezus i ringjallur e të bekojmë.

Të gjithë  - Sepse me Pashkët e tua i ke dhënë botës jetë.

Lexuesi: Nga Veprat e Apostujve (At 1,12-14)
12 Atëherë ata u kthyen në Jeruzalem, nga mali që quhet i Ullinjve, që është afër Jeruzalemit sa një ecje e së shtunës.
  13 Dhe, si u kthyen në qytet, u ngjitën në sallën e sipërme, ku rrinin Pjetri dhe Jakobi, Gjoni dhe Andrea, Filipi dhe Toma, Bartolomeu dhe Mateu, Jakobi i Alfeut dhe Simon Zellshmi, dhe Juda i Jakobit.
  14 Të gjithë këta ngulmonin me një mendje të vetme në lutje dhe përgjërim së bashku me gratë, me Marinë, nënën e Jezusit, dhe me vëllezërit e tij.

 

Grupi1
Në pritje të Shpirtit Shenjtë. Sa zbritën nga mali, u futën në lutje. Jezusi nuk është më i dukshëm. “Mjegulla” e ngjitjes në qiell e ka bërë të palëvizshëm në lavdi. I Ringjalluri nuk është më i dukshëm me sytë e mishit, por mund të arrihet të shihet me sytë e fesë. Bashkësia e Pashkëve i lutet Shpirtit Shenjtë. Tani ai pritet bashkë me dhuratat e tij. Do të vulosë lindjen e Kishës, fillimin e saj si misionare e të Ringjallurit. Lutja drejtuar Shpirtit Shenjtë është gjithmonë efikase. E pati premtuar Jezusi: “Nëse ju që jeni të këqinj, do të dini t’u jepni gjëra të mira fëmijëve tuaj, shumë më tepër Ati juaj në qiell do t’u japë Shpirtin Shenjtë atyre që ia kërkojnë” (Lk 11,13). Që atëherë e përgjithmonë bashkësia e Pashkëve është mbledhur në emër të të Ringjallurit, me Të në mes, për të kërkuar nga Ati, Shpirtin e Shenjtë të dashurisë, që ripërtërin fytyrën e botës.Dhe janë Rrëshajat e përjetshme. Lutja e Pashkëve shënohet nga prania e Marisë; e pranishme dhe më parë në Kanë, aty ku grupi i parë nis t’u besojë shenjave; e pranishme në Kalvar, aty ku Kisha është duke u ngjizur; tani e pranishme në çenakull, aty ku lind Kisha.
  Maria, ekspertja e misterit të Pashkëve: vdekje e jetë, kryq e ringjallje.

 

Grupi 2
Njeriu i ditëve të sotshme, i shpërqëndruar nga konsumet e i detyruar të përshkojë shtigje të vdekjes, shkon kësaj rruge duke harruar Hyjin. Por një dritë ndriçon në këtë zhvillim epoke: është Kisha që Krishti ka dashur të lërë për ata që kërkojnë shpëtim. Është Kisha e mbledhur në lutje me ngulmim të njëzëshëm. Është Kisha, e re 20 shekujsh që u flet atyre që janë të rinj në moshë e në shpirt. Bota, me llogjikën e saj të kundërt nga ajo e lumturive, largon njeriun nga Hyji. Kisha që është tejdukshmëria e Krishtit, e afron me Hyjin. Ecja e Çenakullit na dërgon drejt kulturës së jetës.

 

Të gjithë - Gëzohu, Nënë e Virgjër:
Krishti është ringjallur. Aleluja

Prifti – Jezus i ringjallur nga vdekja, gjithmonë i pranishëm në bashkësinë e Pashkëve, shpërndaj mbi ne, përmes ndërhyrjes së Marisë, akoma sot këtu, Shpirtin e Shenjtë tëndin dhe të Atit tënd: Shpirtin e jetës, Shpirtin e gëzimit, Shpirtin e paqes, Shpirtin e forcës, Shpirtin e dashurisë, Shpirtin e Pashkëve.

Të gjithë - Amen

Të gjithë së bashku :O Maria, tempull i Shpirtit të Shenjtë, na udhëhiq si dëshmitarë të Ringjalljes në udhën e dritës.