NDALESA E NJËMBËDHJETË

I ringjalluri u beson dishepujve misionin universal

Prifti - Të adhurojmë, Jezus i ringjallur e të bekojmë.

Të gjithë  - Sepse me Pashkët e tua i ke dhënë botës jetë.

Lexuesi: Nga ungjilli sipas Mateut (Mt 28,16-20)
16 Pastaj të njëmbëdhjetë dishepujt shkuan në Galile, në atë mal që u kishte caktuar Jezusi
  17 dhe, kur e panë, e adhuruan; por disa dyshuan.
  18 Pastaj Jezusi u afrua dhe u foli atyre duke thënë: "Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë.
  19 Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë,
  20 dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen".

 

Grupi1
I Ringjalluri është Zoti i historisë. Fuqinë që Ati i jep, ua transmeton të tijve. Mbi malin e Galilesë inauguron historinë e re. Po ashtu si në malin e lumturive Ai tregoi kodin e ri gjenetik, sot, mbi malin e Galilesë, njerëz prej mishi, të veshur me Shpirtin e Shenjtë, marrin në dorëzim detyrën e shndërrimmit të botës. Të pagëzojnë dhe të hyjnëzojnë njeriun, çdo krijesë të dobët. Të mësojnë e të bëjnë dritë mbi drejtimin e ri të botës. Të bëjnë dishepuj çdo njeri dhe t’i përfshijnë në bashkësinë e Pashkëve, Kishën, pa dallim race e kulture. Kjo bashkësi është shtëpi dhe shenjë e dashurisë së Trinisë së Shenjtë. Shtëpi në të cilën të gjithë janë të thirrur. Detyrë e stërmadhe ajo e nisjes së misionit: është dedikim i plotë në shpalljen e lajmit të mirë. Me Pashkët lëvizja nuk mbaron, por fillon. Fusha e punës, vreshta e tij, është bota e tërë, deri në fund të shekujve. 

Grupi 2
Njeriu i ditëve të sotshme, jeton në fushën e pafund të botës. Një botë që bëhet më e ngatërruar me kërkesat dhe dramat e saj, me rrezikun e saj të luftës nukleare dhe me ankthet e dhunës dhe të keqkuptimeve. Po si mund të shkohet nëpër botë? Si të shpallet Lajmi i mirë? Si të shndërrohet bota pa pasur nevojë të përdoret forca? Si të jemi besnikë të Hyjit të historisë dhe të historisë së Hyjit? I Ringjalluri është me ne, deri në fund të botës.

Të gjithë - Gëzohu, Nënë e Virgjër:
Krishti është ringjallur. Aleluja

Prifti – Jezusi i ringjallur, shton premtimin e tij ngushëllues: “Unë do të jem me ju të gjitha ditët e jetës!” (Mt 28,20). Të vetëm nuk jemi të aftë të bartim të vendosur as peshën më të lehtë. Aq më tepër të mund të bartim mbi shpatullat tona të shkreta peshën e botës. Ne jemi dobësia. Ti je forca. Ne jemi paqëndrushmëria. Ti je vendosmëria. Ne jemi frika. Ti je guximi. Ne jemi trishtimi. Ti je gëzimi. Ne jemi nata. Ti je drita. Ne jemi amullia. Ti je Pashkët.

Të gjithë - Amen
Të gjithë së bashku :O Maria, tempull i Shpirtit të Shenjtë, na udhëhiq si dëshmitarë të Ringjalljes në udhën e dritës