NDALESA E NËNTË

I ringjalluri takohet me të tijtë në liqenin e Tiberiadit

Prifti - Të adhurojmë, Jezus i ringjallur e të bekojmë.

Të gjithë  - Sepse me Pashkët e tua i ke dhënë botës jetë.

Lexuesi: Nga ungjilli sipas Gjonit (Gjn 21,1-9.13)
Pas këtyre gjërave, Jezusi iu shfaq përsëri dishepujve pranë Detit të Tiberiadit; dhe u shfaq në këtë mënyrë:
  2 Simon Pjetri, Toma i quajtur Binjaku, Natanaeli nga Kana e Galilesë, të bijtë e Zebedeut dhe dy të tjerë nga dishepujt e tij ishin bashkë.
  3 Simon Pjetri u tha atyre: "Po shkoj të peshkoj". Ata i thanë: "Po vijmë edhe ne me ty". Dolën dhe hipën menjëherë në barkë; por atë natë nuk zunë asgjë.
  4 Në mëngjes herët, Jezusi ndenji te bregu; megjithatë dishepujt nuk e kuptuan se ishte Jezusi.
  5 Dhe Jezusi u tha atyre: "O djema, a keni ndonjë gjë për të ngrënë?". Ata iu përgjigjën: "Jo!".
  6 Dhe ai u tha atyre: "Hidhni rrjetën në anën e djathtë të barkës dhe do të gjeni". E hodhën, pra, dhe s'mundën më ta tërhiqnin nga shumica e peshqve.
  7 Atëherë dishepulli, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: "Éshtë Zoti". Simon Pjetri, kur dëgjoi se ishte Zoti, u mbështoll me rrobë (sepse ishte i zhveshur) dhe u hodh në det.
  8 Dishepujt e tjerë përkundrazi shkuan me barkë (sepse nuk ishin shumë larg nga toka, vetëm dyqind kubitë), duke tërhequr rrjetën plot me peshq.
  9 Mbasi dolën në tokë, panë një zjarr me prush dhe mbi të peshk dhe bukë. (…)13 Atëherë Jezusi erdhi, mori bukë dhe ua dha atyre; po kështu edhe peshkun.

Grupi1
Jezusi kërkon bukë. megjithëse nuk ka nevojë për të; trupi i tij është i lavdishëm. Bën këtë kërkesë në mënyrë që të bashkëndajë përsëri me njerëzit, nevojat e tyre, për të marrë pjesë në mensën e tyre të përditshme. Po ashtu si atëherë kur i kërkonte ujë një gruaje të Samarisë, te pusi i Sikarit. Hyji që kërkon: është një Hyj që akoma s’është kuptuar. Kërkon nga njeriu që të përfshihet në botën e njeriut dhe t’i përgjigjet me fuqinë e Tij të dashurisë. Kërkon të nxisë të tijtë t’i hedhin rrjetat, përpara të boshatisura e tani mrekullisht të mbushura plot. Pastaj i fton në një mensë madhështore e të gëzueshme. Pa Të, tavolina do të kishte qenë e varfër dhe e trishtueshme.

Grupi 2
Në portën e botës së sotshme Jezusi troket. Kërkon që të hyjë. Është një botë e lodhur dhe e dëshpëruar, plot me drita por e privuar nga drita; plot me suksese që shijohen vetëm nga një pakicë; ndërsa zemra mbetet bosh porsi rrjeta. Për shumicën ekziston varfëria dhe shtypja, panjerëzia, e ardhmja e shkatërruar. Dhe stomaku mbetet bosh sikurse rrjeta. Kështu njeriu jeton përvojën e boshllëkut në zemër e në forca. Mungesën e Hyjnores; mungesën e njerëzores. Jezusi i ringjallur, afrohet dhe kërkon. Kur Hyji do, atëherë dhuron. Kur Hyji përzgjedh atëherë kërkon. Kërkon të shpërndahen shpresa dhe dashuria. Që këto të dyja të ndërtohen me veprime.

Të gjithë - Gëzohu, Nënë e Virgjër:
Krishti është ringjallur. Aleluja

Prifti – O Jezus i ringjallur, na jep urtësinë të rivëmë në lojë shpresën edhe pasi kemi provuar dështime. Ti, I Ringjalluri, ulu në mensën tonë. Në ditët e Pashkëve të bashkëjetesës tënde nuk je dëshmuar si Hyj fitimtar mes këngësh e daullesh, por hyj i thjeshtë i të përditshmes, që celebron Pashkët në rrjedhën e një lumi, pranë një tryeze në natyrë. Na bëj dëshmitarë të Pashkëve të tua në të përditshmen tonë, me monotoninë e saj, aty i na pret gjithmonë, në rrjedhën e shqetësimeve tona. ulu në tryezën tonë prej njerëzish të nginjur por bosh. Ulu në mensat e njerëzve të varfër që kanë akoma shpresa. Dhe bota që Ti kaq shumë e do, të jetë e re, modeluar mbi shembullin e Pashkëve të tua.

Të gjithë - Amen

Të gjithë së bashku :O Maria, tempull i Shpirtit të Shenjtë, na udhëhiq si dëshmitarë të Ringjalljes në udhën e dritës.